Shasi një qendër e njohur mesjetare
Jahja Drançolli
Opis
Shasi (Suacium, Svaç, Soacia etj.) është një nga qendrat mesjetare më të rëndësishme të hapësirës së Ulqinit dhe pellgut shkodran, me një histori të gjatë banimi që nis nga antikiteti ilir dhe vijon gjatë periudhës romake, bizantine dhe mesjetare. Rrënojat e qytetit ndodhen rreth 25 km në verilindje të Ulqinit, përgjatë rrugës historike Tivar–Shkodër, në një pozicion strategjik mbi një kodër pranë Liqenit të Shasit. Zhvillimi urban i qytetit është përshtatur ngushtë me konfiguracionin e terrenit dhe përfshin Qytetin e Epërm (fortifikatën) dhe Qytetin e Poshtëm. Burimet historike e përmendin Shasin në dokumente zyrtare që nga viti 1089, ndërsa ipeshkvia e tij përmendet të paktën që nga shekulli VIII. Qyteti ishte pjesë e rëndësishme e organizimit kishtar të rajonit dhe, së bashku me Tivarin dhe Ulqinin, përfshihej në juridiksionin e mitropolisë së Durrësit. Gërmimet arkeologjike, veçanërisht ato të realizuara në vitin 1989, kanë dëshmuar një kontinuitet të gjatë kulturor, duke nxjerrë në dritë shtresa banimi që nga periudha ilire, romake dhe bizantine, deri në Mesjetë. Zbulimi i një shtrese kulturore të shekullit VI mbështet hipotezën se fortifikimet veriore të qytetit janë ndërtuar ose rindërtuar gjatë kohës së perandorit Justinian. Fortifikata e Shasit përfshinte një sipërfaqe prej rreth 2 hektarësh dhe ishte e rrethuar me mure dhe kulla mbrojtëse, të ndërtuara në përputhje me terrenin natyror. Qasja kryesore në qytet realizohej nga ana veriore, ndërsa ana jugore ishte e mbr